Gazetari Artan Hoxha ka reaguar sërish ditën e djeshme, ndërsa ka lëshuar të tjera akuza në adresë të presidentit Ilir Meta, duke këmbëngulur se ky i fundit është përfshirë në vrasje, pra si porositës i disa prej tyre. Gazetari Artan Hoxha ka reaguar pasi Prokuroria e Posaçme hodhi poshtë deklarimet e tij dy ditë më parë për dëshmitë e Nuredin Dumanit, që sipas tij, ka thënë se Ilir Meta ka porositur vrasjen e vëllait të një deputeti të PS në vitin 2017 në Lezhë. Në studion e “ABC Live, Hoxha theksoi SPAK duhet të kujdeset se nga i rrjedh informacioni. Gazetari sqaroi se Nuredin Dumani e ka thënë një gjë të tillë dhe deklarata e tij është e regjistruar dhe se janë prova të pakontestueshme. Madje ai zbuloi se ka përmendur edhe emrat e 3-4 deputetëve të tjerë. “Edhe në rastin e parë kur u dha lajmi se Dumani po bashkëpunon me drejtësinë SPAK ka thënë që nuk është e vërtetë. Në rastin konkret unë e kam thënë që Dumani dhe Hoxhaj dhe persona të tjerë kanë dhënë shumë deklarime. Kanë dhënë deklarime të cilat janë në kuadër të procedimet, ku sigurisht janë bashkuar 18 hetime të mëparshme. Por ka thënë edhe të tjera që janë regjistrua dhe s’janë pjesë e këtij procedimi. Unë iu referova si shembull, sepse janë përmendur edhe 3-4 deputetë të tjerë. E kam dhënë atë shembull se pse deri tani ky hetim ka pasur probleme. Nuk duhet të kishte rrjedhur indo. Dhe është bërë qëllimisht. Kur u bë operacioni nuk i arrestuam dot ata që duheshin. Ata kanë dhënë deklarata dhe duhet të bëhen hetime. Gjëja që kam thënë se se midis të tjerash ai ka folur edhe për persona politikë. Ka folur edhe Berisha. Unë dje shtova që ka folur për bandat e qeverive. Unë nuk e besoj këtë gjë por ai e ka thënë. Është e regjistruar. SPAK duhet ti verifikojë. Ai është i besueshëm për ngjarje që ka qenë vetë jo ato që i ka me të dëgjuar. Dhe pse e thashë për ti tërhequr vëmendjen organit të hetimit që duhet ti verifikojë mirë këto dhe pastaj t’’ia japë publikut. Nëse unë i nxjerr ato që ka thënë, cili nga ata do të mbajë përgjegjësi se nga ka rrjedhur.
SPAK përgënjeshtron akuzat e gazetarit Hoxha
Por Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hedhur dje poshtë pretendimet e gazetari Artan Hoxha se presidenti Ilir Meta kishte urdhëruar një vrasje. Bëhet fjalë për vrasjen e Aleksandër Nokës, vëllait t ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Noka. Përmes një deklarate për e mediat, SPAK theksoi ditën e djeshme se i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani nuk e ka përmendur kurrë në dëshminë e tij presidentin Ilir Meta. Ndaj kërkon që gazetarët të kërkojnë më shumë kujdes lidhur me ngjarjen. “Në vijim të interesimit të shtuar të mediave, në lidhje me deklarimin e gazetarit Artan Hoxha për sa i përket të dhënave të pretenduara si të deklaruara nga shtetasi nën hetim N.D. për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, të transmetuar në televizionin Kombëtar “Klan”, në emisionin “Opinion” të datës 02.06.2022, sqarojmë opinionin publik se: Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim N.D., nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë”, shkruhet në njoftimin e SPAK.
LSI sulmon Hoxhën: Ditëzi, u shite tek Rama
Pasi gazetari Artan Hoxha deklaroi se presidenti Ilir Meta urdhëroi vrasjen e vëllait të deputetit të PS, partia e kreut të shtetit Lëvizja Socialiste për Integrim e degës Durrës, reagoi ashpër përmes një postimi në Facebook, duke e konsideruar përfaqësuesit e medias si të blerë. Gjithashtu përfaqësuesit e LSI shkruajnë se deklaratat e Hoxhës bëhen për të tërhequr vëmendjen nga realiteti i rritjeve të çmimeve. Po ashtu ato e sulmojnë ashpër gazetarin, duke e cilësuar si “mbeturinë” që “nuk ka incenerator ta marrë përsipër”. “Kjo i vret të gjithë shqiptarët e ndershëm, çmimet kriminale! Por Artan Hoxha nuk preferon të flasë për këto… Ai shfrytëzon kohën televizive me shpikjet e tij të mirëpaguara! Gazetari “malinj” plas bomba herë pas here dhe kërkon të hedh tym mbi realitetin vrastar të gatuar nga Edi Rama! Me aq lekë sa ka marrë ti mor ditëzi nuk te bëjnë përshtypje këto çmime, se ke shitur veten, familjen dhe shoqërinë”, Ne nuk harrojmë se Rama “ka porositur vrasjen e mijëra shqiptarëve çdo ditë” por Tan Hoxha është kaq mbeturine sa ‘nuk ka incenerator ta marrë përsipër’! Ps. Përshëndesim pseudo gazetarin me këngën “sa e shite zemrën ti”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në lidhje me deklaratën e gazetarit Artan Hoxha, i cili deklaroi se presidenti Ilir Meta urdhëroi vrasjen e vëllait të deputetit të PS, Arben Ndoka. Kujtojmë që Aleksandër Ndoka, vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, u ekzekutua me armë zjarri në dhjetorin e vitit 2017, dhe ngjarja akoma nuk është zbardhur nga drejtësia.