Ja çfarë i kërkoi “Rezidenti” zyrtarit shqiptar me nofkën “Çelësi” dhe si ra në “grackën e SHISH agjenti i huaj, eksperti i kriminalistikës Karamuço zbardh detajet

Ja çfarë i kërkoi “Rezidenti” zyrtarit shqiptar me nofkën “Çelësi” dhe si ra në “grackën e SHISH agjenti i huaj, eksperti i kriminalistikës Karamuço zbardh detajet

Dalin pjesë të tjera nga raporti i Shërbimit Informativ Shtetëror për vitin 2021, ku mes të tjerash flitet edhe për spiunazhin. SHISH publikon përgjimet e një zyrtari të huaj të dyshuar të një agjencie inteligjente të një vendi jomik dhe me mbulesë diplomatike, të cilin e quan me nofkën “Rezidenti”. Në raportin e Shërbimit Informativ Shtetëror thuhet nga përgjimet ka rezultuar se “Rezidenti” kishte kontakte me qytetarë shqiptarë, por edhe me punonjës të administratës qendrore e lokale, ku synimi ishte që të kishte qasje dhe të mundësonte takime në zyra institucionesh që administrojnë informacion të klasifikuar, duke shmangur mbikëqyrjen nga struktura të sigurisë. Raporti i SHISH ka zbuluar se si një person punonte si spiun në vendin tonë, e se kontaktin më të afërt e kishte me një punonjës të institucionit “A”, i cili kishte marrë nofkën “Çelësi”. Po ashtu, shkruhet qartë se “Çelësi” ishte njohur me “Rezidentin” në një nga aktivitetet e zhvilluara nga një përfaqësi diplomatike, ku shkëmbyen numrat e telefonit pas takimit të rastësishëm, më pas, spiuni i huaj e kishte pyetur informatorin e tij për vendndodhjen e përfaqësuesit të marrëdhënieve me jashtë të institucionit. ““Çelësi” pranoi të takoheshin për drekë, për t’u njohur më mirë dhe për të shfrytëzuar këtë kontakt “diplomatik” me synim shkollimin me bursë studimi që ofronte shteti i “Rezidentit” për djalin e tij. Gjatë drekës, “Rezidenti” krijoi një njohje më të plotë të profilit personal dhe të punës, të aksesit të “Çelësit” ndaj informacionit të klasifikuar, duke i premtuar se do ta ndihmonte për shkollimin e djalit. “Çelësi” u ankua se, me të ardhurat si nëpunës, e kishte të pamundur shkollimin e djalit jashtë vendit dhe i shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar,” thuhet ndër të tjera në raportin e publikuar. Sakaq, diplomati është dëbuar nga vendi, ndërsa funksionari është shkarkuar nga detyra, por nuk është arrestuar. Për këtë ngjarje, tha eksperti janë vënë në dijeni Presidenti i Republikës dhe kryeministri. “Dyshohet që është një funksionar i lartë që vitin e kaluar që ka komunikuar me një diplomat, kanë pasur shumë kontakte. Ai ka marrë para i është dhënë edhe një bursë nga ai shtet dhe në këmbim të kësaj ka dhënë informata sekrete shtetërore. Pseudonimi i tij është “çelësi” dhe i huaji është “rezidenti”. Është një histori që është mbajtur sekret”, deklaroi ai. Ndërkohë eksperti shton më tej se duhet të mësojmë se cili është “çelësi” i hapur në përgjime. “Ne duhet të dimë kush është “çelësi”. Ky vend nuk mund të shitet për shkollim djali. Unë dua ai person që e ka bërë këtë gjë duhet të shkojë në burg. SHISH ka dashur ta bëjë në një formë skupi për të rritur edhe vigjilencën në shoqëri. Ne i dinim të vjetra këto. Do ketë të tjera tentativa dhe ne nuk duhet të kemi njerëz që shiten kaq lirë”, nënvizoi Karamuço.


Leave a Reply

Your email address will not be published.