Paralajmërimi “bombë” për Shqipërinë, inteligjenca në Iran paralajmëron trazira në Manëz të Durrësit, ja kërcënimi që vjen nga Teherani

Paralajmërimi “bombë” për Shqipërinë, inteligjenca në Iran paralajmëron trazira në Manëz të Durrësit, ja kërcënimi që vjen nga Teherani

Në Shqipëri, herë pas herë ka pasur disa qëndrime në media se strehimi i muxhahedinëve iranianë brenda territorit të vendit tonë mund të na ktheje në një vend të rrezikuar për shkak të konfliktit të vazhdueshëm të tyre me qeverinë iraniane. Ministri i Inteligjencës i Republikës Islamike të Iranit, Hoxhat-ul-Islam Sejed Ismail Khatib, me rastin e përkujtimit të martirëve të 7 Tir-it dhe Javës së Gjyqësorit, ka kërcënuar se terroristët që janë strehuar në territorin e Shqipërisë nuk do të jenë kurrë të sigurt nga zjarri i hakmarrjes për krimet e tyre. Ai tha se “ushtarët e panjohur të Imamit të Kohës në frontin e madh të luftës së pareshtur për mbrojtjen e atdheut do të përdorin të gjithë forcën e tyre për të mbrojtur të drejtat e popullit iranian dhe terroristët që janë strehuar në Shqipëri kurrë nuk do të munden t’i shpëtojnë zjarrit të hakmarrjes për krimet e tyre”.

Sipas ministrit iranian të Informacionit, terroristët e MEK po vihen gjithnjë e më shumë në shërbim të liderëve të terrorizmit zyrtar dhe shtetëror, si ish-presidenti amerikan Donald Trump dhe zëvendësi i tij, Mike Pence dhe ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. Në këtë mesazh Khatib theksoi: “Këta kriminelë janë gjithnjë e më shumë të frikësuar nga hakmarrësit e gjakut të heroit të madh të Islamit, gjeneralit Kasem Soleimani”.

Mike Pence në kampin MEK në Shqipëri: Amerika është shtëpia e iranianëve

Ish-zv.presidenti amerikan Mike Pence gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri para pak ditësh, ka treguar mbështetjen për iranianët të strehuar në kampin Ashraf në Manëz të Durrësit. “Ju falënderoj për këtë mirëseardhje kaq të ngrohtë për mua dhe gruan time të jemi këtu në Ashraf 3 ku flaka e lirisë digjet në Shqipëri. Është privilegj të jemi këtu në shtëpinë e lirisë së Iranit. Ne ndajmë një çështje të përbashkët. Çlirimin e popullit të Iranit dhe lindjen e një Irani demokrat të lire dhe me parimet e një demokracie të qëndrueshme. Është hera parë që vizitoj Shqipërinë dhe nuk do të flas në emër të qeverisë amerikane. Populli amerikan janë me ju që luftoni për lirinë e Iranit. E di që shumë amerikane dhe qytetarë amerikane kanë familjaret e tyre dhe 1.5 mln amerikane kanë lindur në Iran, që do të thotë se Amerika është shtëpia e iranianeve. Shumë prej tyre erdhën dhe zgjidhen SHBA si vendin e tyre pas 1989 pasi e dinin që Amerika është toka e lirisë”, tha Pence.

Marrëveshja e Shqipërisë me SHBA

Muxhahedinët iranianë ose Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) është grupi kryesor opozitar ndaj regjimit të Iranit. Ata janë strehuar në vendin tonë në një kamp të ngritur në periferi të Tiranës pranë zonës së Manzës, që prej vitit 2013. Ishte një marrëveshje e qeverisë shqiptare, asokohe e drejtuar nga Sali Berisha, me SHBA-të për të strehuar në vendin tonë një numër prej rreth 300 muxhahedinësh me statusin e azilantit politik. Kjo marrëveshje erdhi fill pasi Uashingtoni e hoqi këtë organizatë nga lista e grupeve terroriste që veprojnë në botë. Ky grupim, i cili nga regjimi aktual i Iranit konsiderohet terrorist, është krijuar në vitin 1965 dhe nga pjesa më e madhe e botës perëndimore (përfshirë edhe Shqipëria) njihen si opozita iraniane në emigracion. Në fillimet e krijimit të tyre ata kanë qenë në opozitë me udhëheqësin e Iranit deri në vitet ‘70, Mohammad Reza Shah. Pas përmbysjes së regjimit të tij dhe triumfit të revolucionit islamik, kjo organizatë sërish mbeti në opozitë, pasi ishte kundër organizimit shtetëror që bëri lideri Ajetullahu Ruhollah Homeini. Në këtë situatë ku u shpallën të padëshiruar në vendin e tyre, ata u larguan nga Irani. Një pjesë emigruan në vendet perëndimore dhe një pjesë shumë e madhe u strehuan në Irak, ku ngritën kampin “Ashraf”.

Pas konfliktit të SHBA-ve në Irak dhe hyrjes së ushtrisë amerikane në këtë vend për të rrëzuar regjimin e Sadam Husein, muxhahedinët iranianë dolën në krah të SHBA dhe ushtrive të NATO-s. Pasi ushtria e SHBA-ve mori në kontroll gjithë territorin, ky grupim filloi zhvendosjen nga kampi i krijuar në Irak. Në vitin e fundit të mandatit të tij si Kryeministër, Sali Berisha ra dakord me Sekretaren e Jashtme të SHBA-ve në vitin 2013, Hillari Klinton, që nga Iraku të mbërrinin në Tiranë 270 muxhahedinë. Këta të fundit morën të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe u trajtuan me statusin e azilantit politik.


Leave a Reply

Your email address will not be published.