Legalizimi i kanabisit në Shqipëri, alarmohet Greqia: Po na sjell ‘Kolumbinë’ në kufirin tonë


Pas ngritjes së pyetjes “ A duhet legalizuar kanabisi për arsye mjekësore në vendin tonë” në pyetësorin e formuluar nga qeveria, vendi u përfshi nga debati se sa e mundur ishte kjo gjë.

Një javë më parë kryeministri Edi Rama duket se i vuri “kapakun” çështjes teksa deklaroi se kjo gjë do vendosej tashmë në praktikë. Pikërisht për shkak të kësaj deklarate mediat greke kanë ngritur alarmin, duke theksuar se një gjë e tillë do rrezikonte rritjen e trafikut, ndërsa ironizojnë duke shtuar “Shqipëria po na sjell Kolumbinë afër”.

Sipas revistës ‘Magazine’, kryeministri Rama hodhi në konsultim publik një projektligj për legalizimin e prodhimit të kanabisit për përdorim mjekësor dhe industrial dhe u hartua nga Ministria Shqiptare e Shëndetësisë, ndërsa pritet të dalë në Kuvend për votim në javët në vijim.

Rama këtë herë duket se nuk po luan blofin, vazhdon revista greke. Deputetët e opozitës e cilësuan vendimin si “çmenduri”.

Sipas raportit të këtij viti të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin, Shqipëria, me një popullsi prej 2.8 milionë banorësh, është vendi i shtatë në botë për sa i përket prodhimit dhe trafikimit të paligjshëm të kanabisit – pas Marokut, Afganistanit, Spanjës, Holandës. , Pakistani dhe Libani.

Në të njëjtën kohë, organet e ndjekjes greke po përpiqen të kuptojnë se çfarë do të thotë e gjithë kjo. Pjesa më e madhe e prodhimit shqiptar, pra shumë tonë në vit, trafikohet në Itali dhe Greqi. Në katër vitet e fundit në kufirin greko-shqiptar janë sekuestruar mbi 13 ton kanabis të papërpunuar.

Rrugët nga Kastoria dhe Janina konsiderohen si kalimet më të rëndësishme për trafikun e “mallit” në Europë, që përkthehet në miliona euro fitime në të dyja anët e kufirit.

“Duke pasur parasysh treguesit e korrupsionit në Shqipërinë, por edhe përvojën e hidhur të fundit të Maqedonisë së Veriut për legalizimin e kanabisit medicinal, të gjithë janë dakord se e nesërmja në kufirin midis dy vendeve nuk do të jetë njësoj.”- e mbyll shkrimin revista greke.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *