Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Roland Bejko, ka deklaruar se ish-kryeministri Sali Berisha i ka pasur gjithmonë shumë të vështira marrëdhëniet me SHBA kur ka qenë në opozitë. Në një intervistë televizive ditën e djeshme ai theksoi se kjo mbase vjen edhe nga mungesa e kulturës së tij demokratike. Bejko foli gjithashtu edhe për një pjesë të errët të historisë sonë, atë të piramidave, ku kujton në mënyrë të veçantë, deklaratën e Tritan Shehut dhe Sali Berishës, për paratë që Sudja u mori shqiptarëve përmes firmave piramidale.“Po t’i referohemi historisë së PD, Sali Berisha i ka pasur gjithmonë shumë të vështira marrëdhëniet me SHBA, sa herë ka qenë në opozitë. Ai në fakt i kishte të vështira edhe në mandatin e parë, kur qe në pozitë. Kjo mbase vjen edhe nga mungesa e kulturës së tij demokratike”, tha Bejko i ftuar në një studio televizive Gjithashtu ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD u shpreh se amerikanët planifikuan në 2001 ta eliminonin politikisht Berishën, por nuk ia arritën qëllimit. “Unë mbaj mend që në vitin 2001 ka pasur një përplasje më të fortë, më të jashtëzakonshme se në këtë kohë, me amerikanët. Ata ishin shumë të interesuar që Berisha të largohej dhe të vinin faktorë të rinj në PD, por nuk ia dolën. Madje sot mbushen 22 vjet nga deklarata e Tritan Shehut, kur flet për Berishën që ka krijuar shtet paralel brenda shtetit. Një komunist që humbjet i quan fitore dhe aludon për paratë e Sudes. Çfarë po ndodh me paratë e Sudes, pyetej atëherë. Berisha u përgjigj duke thënë që qytetarët të mos vrisnin mendjen, sepse ato i monitoronte SHIK-u, pastaj Tritan Shehu tha që paratë e Sudës ikën! Dhe pyetja që bëj unë sot është ku shkuan paratë e Sudes nëse ato ishin të garantuara?!”, tha ai. Bejko deklaroi se Edi Rama ka dy mundësi për të ikur nga pushteti. “Dhe pastaj pas 2001 Berisha kur e pa që ne dolëm me rezultat të mirë në 2001, qytetarët shqiptar ne na dhanë vota, por ato numëroheshin tek zyra e Luan Ramës, pra njësoj si në vitin 1996 që numëroheshin në qendrat e kandidatëve. Edi Rama ka dy mundësi për të ikur nga pushteti, ose do të iki se do ta heq drejtësia për shkak të aferave të shumta ose do gjendet një ekip nga elektorati gri dhe do ti ndihmojë këta që të fitojnë. Edi Rama edhe në prag të samitit bëri dy akte, sepse falënderoj patronazhistët dhe e dyta bëri shembjen e resorit në Durrës, dhe nuk shembi ato që ishin në mënyrë të paligjshme dhe e bëri këtë për të bërë shantazh. Ai i bëri këto vetëm një ditë përpara samitit”, u shpreh Bejko.
Bejko: Berisha s’ka rithemeluar asgjë. Ndërkohë, Roland Bejko, ish- kryetar i Partisë Demokratike në Gjirokastër dhe ish-anëtari i Këshillit Kombëtar u shpreh se në fakt në këto primare nuk ka pasur asgjë të re, thjesht Berisha ka ndryshuar vendin me Bashën.“Primaret ishin thjesht një fraksion shumice i PD-së, ish-foltorja e zotit Berisha ose siç e quajnë veten Rithemelimi. Por të gjithë e dinë që ai nuk ka rithemeluar asgjë. Mori stafin e Bashës, u ndërrua vetëm Berisha me Bashën, përjashto ne që nuk e ndoqëm nga mbrapa. Berisha vijon me berishizmin, është i njëjti Berishë, S’kemi parë ndonjë të re në program. Sheshet janë ato që i japin oksigjen. Aty ndërton retorika ndërton ultimatum, kështu ka qenë, kështu është”, u shpreh Bejko.